Angazhimi maksimal dhe bashkëpunimi bënë të mundur që brenda disa orëve, të normalizohej situata dhe të fikej zjarri në landfillin pranë inceneratorit të Elbasanit.
Falenderime për bashkinë Elbasan dhe të gjitha bashkitë e tjera që ndihmuan me mjete zjarrfikëse dhe me punonjës, gjithashtu shumë falenderime dhe mirënjohje për forcat e specializuara të ushtrisë për përkushtimin dhe punën e tyre.
Zjarri në fjalë u shfaq rreth orës 17:00 të së shtunës në landfillin pranë Impiantit të Trajtimit të Mbjetjeve Urbane në Elbasan. Megjithë ndërhyrjen e shpejtë të ekipit zjarrfikës të Elbasanit me 5 mjete dhe 20 efektivë, flakët morën përmasa të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë.
Ekipi i Emergjencave dhe punonjës të Agjencisë së Shërbimeve Publike u angazhuan për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa u kërkua edhe ndihmë nga bashkitë e tjera për menaxhimin e situatës. 15 mjete zjarrfikëse dhe 70 punonjës nga bashkitë Elbasan, Tiranë, Gramsh, Durrës, Fier, Cerrik, Belsh dhe Peqin punuan gjatë gjithë natës dhe situata në landfillin e Elbasanit u vu në kontroll.
Forcat e specializuara të ushtrisë me dy mjete zjarrfikëse, dy makineri të rënda dhe 10 efektivë ishin gjithashtu një ndihmë e pazëvendësueshme në këtë situatë emergjente. Sot paradite zjarri është fikur totalisht. Paraprakisht kryesorja mbetet pista e një zjarri të qëllimshëm, për të cilën organet e policisë dhe prokurorisë kanë nisur tashmë hetimet.

